Rajmond Sejko
Rajmond Sejko

Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 15 Gusht 1948
Babai: Teme Sejko

Teme Sejko studioi në Moskë, në Akademinë e Shtabit Vroshillov. Deri në klasë të tretë Rajmondi ka jetuar në Tiranë dhe në mars të ‘58 u transferuan me familjen në Vlorë, ku babai i tij u caktua Komandant i Flotës Detare. Më 28 korrik babai i tij thirret në Tiranë ku edhe arrestohet.
Dhe në 28 korrik, e mbaj mend si tani, ka qenë ditë e enjte, atë e kanë arrestuar në zyrën e Beqir Ballukut. Arrestimi është bërë në orën 10. Këtë e kam marrë vesh më mbas, por di që në orën 11:00 kanë ardhur në shtëpinë e gjyshit ku rrinim neve, se ne kishim shtëpinë në Vlorë. Kanë ardhur dy persona me kostume gri dhe me kasketa. Kanë bërë kontroll në shtëpinë e gjyshit dhe i kanë dhënë mamasë mandatin që im atë ishte arrestuar.
Rajmondi ishte 11 vjeç në atë kohë dhe vëllai i tij 9 vjeç.

Gjyqi i Teme Sejkos ka filluar në 15 maj të 1961 dhe vendimi është dhënë më 27 maj të 1961 për pushkatim. Në dokumentin që u është dhënë, akti i vdekjes në gjendjen civile, është bërë në vitin 1965, kur duhet të ishte bërë në vitin ‘61, që është bërë pushkatimi. Ka kontradikta, njëherë del data 30 qershor pushkatimi, njëherë del data 31.
Ai tregon se të atin nuk e kanë pushkatuar, por e kanë torturuar në birucë dhe me urdhër të Mihallaq Ziçishtit e kanë mbytur me litar. Me pas e kanë varrosur në Linzë. Këto ia ka tregur djali i një kushëriri të tij dhe këto janë botuar në gazetën ‘55 në nëntor të vitit 2010. Akuzat kryesore kanë qenë komplot, krijim bandash, kryengritje e armatosur, agjitacion, pothuajse të gjitha nenet për armik të popullit.
Familja e Temes u internua me pesë vjet, ku këto 5 vjet u kthyen në dëbim dhe u internuan në Berat në 1961-shin. Më 3 qershor 1973 arrestohet i vëllai i Rajmondit, Sokoli, i cili ishte 22 vjeç atë kohë. Gjyqi I filloi në 24 janar të ’74-s dhe zgjati dy ditë. Më 25 u dha vendimi. Për Sokolin u dha me vdekje. U akuzua per agjitacion e propagande. Dhe unë i thosha që: ja ku e ke kodin penal, agjitacioni propagandë maksimumi është 10, nuk dënohet më shumë. Ata nuk ishin…Agjitacion dhe propagandë ishte vetëm për ta arrestuar, pastaj përgatitën të tëra gjërat dhe… U pushkatua me 6 mars 1974. Ende i pagjetur.
E ema e Rajmondit vrau veten. Në flet-ndalim ishte shkruar që Rajmondi e kishte shtyrë nënën në vetvrasje dhe hetuesi i parë, ishte Bujar Imçi. Nga ora 12:00 e natës, e çojnë në hetuesi. Po ashtu në 1975 dënohet Edmond Sejko dhe ka bërë 8 vite burg deri më 19 nëntor 1982 në Spaç.