Simon Qafa
Simon Qafa

Vendlindja: VËRNESH, GJAKOVË
Datëlindja: 28 DHJETOR 1954
Babai: PJETËR QAFA

Babai i tij ka qenë antikomunist, një ndër udhëheqësit si dhe ndërmjetës i dy grupeve antikomuniste grupin e Mirditës që ishte i udhëhequr prej Pjetër Gjon Markaj dhe grupi i Pukës që ishte i udhëhequr nga Nac Mirakaj.
Babai i tij Pjetër Qafa në vitin 1949 u arratis në Kosovë, pasi mori vesh se Sigurimi kërkonte ta arrestonte duke i ngritur kurth. Babai i tij dhe të tjerët që u arratisën (52 burra dhe tri gra), u shoqëruan nga Nac Mirakaj i cili mbeti i vrarë prej grupeve partizane. Simoni ka prekur tokën shqiptare në moshën 40 vjeçare. Kushëriri i tij Pal Qafa ka qenë i pushkatuar në vitin 1975 dhe mbas 36 viteve në 2011 i kanë gjetur eshtrat.

Simoni dëshmon se babai kishte shkuar si turist në Kosovë edhe e kanë bërë, e kanë montuar, fotografinë e babës dhe fotografinë e Pal Qafës dhe i kanë thënë: ja ku je përpjekur me çu Pjetër Qafën në Kosovë dhe e kanë dënuar për vdekje dhe e kanë pushkatuar. Në vitin 1953, i kanë pushkatuar të dy dajat të cilët kishin furnizuar babën dhe grupin e tij me armë, me bukë.
Mandej kanë internu dajën tem, kanë internu Mark Qafën, kushninin tem, kanë burgos sa e sa të tjerë prej shpis Qafës.
Dy herë ka pas shans me e rrëzu komunizmin por mbasi që u vra Bardhok Biba, kanë pas shans njiherë me e përmbys komunizmin. Mirëpo, kur Mehmet Shehu pushkatoi gjithë ata mirditorë për vrasjen e Bardhok Bibës, nacionalistat e vendosën që mos me i ba atentat Enver Hoxhës, se po të vritshin Enver Hoxhën, do vdisshin gjysma e Shqipnisë, do t’i kishte qit fare. Domethënë, kur i vret 13 burrat e Mirditës për një Bardhok Bib, merre me mend se çfarë kishte ndodh për Enver Hoxhën.
Liria është nji dhuratë prej zotit që vjen direkt prej zotit edhe ai rob që mundohet me e ndal lirinë e atij tjetrit, ai nuk është njeri.