Shqipëria është e vendosur në Europën Lindore, në Gadishullin Ballkanik. Ajo shtrihet në veri të Greqisë dhe në jug të Malit të Zi, vetëm 60 milje larg Italisë përtej Adriatikut. Për shekuj me rradhë, Shqipëria (e njohur dikur si Iliri) është prekur nga civilizime të ndryshme, duke përfshirë Romakët, Bizantinët, Perandorinë Osmane (e cila sundoi për 500 vjet), Austro-Hungarezët, Italianët dhe nazistët. Në fund, nga viti 1945 deri në vitin 1985 Shqipëria ka përjetuar një nga regjimet më të përgjakshme nën diktaturën e Enver Hoxhës. Hoxha e mbajti vendin malor të izoluar rreptësisht për katër dekada – duke u larguar kështu nga Perëndimi, Sovjetikët dhe Kina – dhe militarizoi intensivisht shoqërinë civile shqiptare në të gjitha aspektet. E prerë plotësisht nga bota, Shqipëria u mbështet në punën e detyruar për të punuar në miniera, industri dhe ferma komunale të vendosura në tokat e tyre tashmë të konfiskuara. Në tërësi, Hoxha ndërtoi 173,000 bunkerë në të gjithë vendin, duke krijuar kështu një gjendje të vazhdueshme emergjence dhe luftë.

Nën diktaturën e Hoxhës, Shqipëria ishte e mbyllur, e varfër dhe e shtypur. Besimi fetar dhe udhëtimet jashtë vendit u ndaluan. Kritikat ndaj regjimit, madje edhe në biseda private, shkatërruan jetë njerëzish, shpesh duke rezultuar me tortura, burgim dhe vdekje. Hoxha ekzekutoi mijëra njerëz që rezistuan dhe dërgoi përafërsisht 50,000 të tjerë në burgje dhe kampe internimi. Mijëra prej tyre vdiqën në burg dhe në ekzekutime masive. Pas vdekjes së tij, pasardhësi i Hoxhës Ramiz Alia mbeti besnik ndaj sistemit ekzistues shtypës derisa vala e kryengritjeve antikomuniste përfshiu Europën Lindore, duke çuar në rrëzimin e regjimit shqiptar në 1991.

Më shumë se 800,000 shqiptarë u larguan nga vendi, duke u vendosur kryesisht në Greqi dhe Itali qoftë në mënyrë permanente, qoftë si punëtorë të përkohshëm. Sot, diaspora e Shqipërisë është më e madhe se popullsia e vendit prej 2.8 milion banorësh. Për shumicën e popullsisë së moshës së mesme dhe të moshuar të Shqipërisë, kujtimet e rinisë së tyre janë të ngjyrosura nga tingujt e këngëve dhe propagandës populiste; kujtime të cilat janë ndërprerë dhe zvogëluar nga varfëria dhe nga shtypja e shprehjes së lirë, angazhimit politik dhe udhëtimeve. Trashëgimia që mbeti pas, është ajo e një populli me ndarje kuptimplota. Disa shikojnë drejt së ardhmes me asnjë interes për të kujtuar vitet e dhimbshme që nuk mund të shlyhen kurrë, ndërsa të tjerët përdorin nacionalizmin sentimental për të thirrur një të kaluar inekzistente, duke sjellë si rezultat një brez të keqinformuar të rinjsh.

Është e dukshme në Shqipëri se liria e fjalës dhe shprehjes është dëmtuar, duke krijuar në mënyrë paradoksale kujtime – të bukura dhe të hidhura – edhe më të rëndësishme. Është përgjegjësia jonë të ndajmë, kuptojmë dhe mësojmë nga këto kujtime. Ato ofrojnë një mjet të fuqishëm për t’u angazhuar me njerëz që mund të kujtojnë jetën në një vend të varur midis dy ndasive të mëdha politike, midis dy botëve jashtëzakonisht të ndryshme.

-Dr. Rudina Jasini, Phd Oxford University